1. Skip to Menu
  2. Skip to Content
  3. Skip to Footer
Më datë 29.03.2008, në ambientet e Grand Hotel Europa, u organizua në qytetin e Shkodrës promovimi i shoqatës më të re kulturoro-edukative, ‘Burimi’.Merrnin pjesë funksionarë të lartë të institucioneve vendore, si prefekti i qarkut Shkodër z. Maxhid Cungu, anëtarë të këshillit bashkiak, myftiu i Shkodrës H. Ndriçim Sulejmani, profesorë dhe intelektualë nga fusha të ndryshme, të ftuar nga Tirana, etj.
Shoqata Kulturore, humanitare "BURIMI", ne vazhden e aktiviteteve te saje bamirese, organizoi takimin me jetimet e rrethit te Shkodres, ne Bar Restorant "Hysa", ne te cilen u bene ndarjet e ndihmave ekonomike dhe dhuratava te ndryshme...
Për realizimin e këtij aktiviteti falenderojme mbeshtetjen qe na ka dhene Myftinia Shkoder dhe konkretisht Myftiu  Ndriçim Sulejmani si dhe te gjithe ato individe  te cilet kane ofruar ndihmen e tyre per mbarvajtjen e ketij projekti.
  • Previous
  • Next
  • Stop
  • Play
  • Promovimi
  • Me jetimet
  • Kursi Verore

Ateizmi

PDF Print E-mail

Ajni SINANI
 
 
"A mos u krijuan prej kurrgjësë, apo ata vetë janë krijues! A mos ata i krijuan qiejt e tokën? Jo, pra ata nuk janë të bindur." (Et Tur, 35-36.)

             All-llahu i Madhëruar deshi që kjo botë të jetë arenë lufte mes së vërtetës dhe të pavërtetës, së mirës dhe së keqes, të drejtës dhe të padrejtës, fesë dhe ateizmit. E vërteta dhe e pavërteta do të ekzistojnë njëkohësisht deri në Ditën e Fundit.

Islami garanton lirinë e besimit, jo vetëm se të besuarit nën presion është pa kurrfarë rezultatesh dhe dobish, por edhe për shkak se të besuarit me detyrim i kundërvihet natyrës së vet njeriut. All-llahu i Madhëruar i thotë të dërguarit të Tij, Muhammedit a.s.:

"Sikur të kishte dashur Zoti yt, që të gjithë ata që janë në tokë do të besonin. A ti do t'i detyrosh njerëzit që të bëhen besimtarë?" (Junus, 99.)

Ateizmi është doktrinë mohuese, sepse ai është ngritur mbi bazën e mohimit dhe mospranimit të Zotit. Ai s'është gjë tjetër veçse mohim i vlerave hyjnore dhe mbulim i së Vërtetës me të pavërtetën. Arabët në kohën paraislamike bujkun e thërrisnin qafir, sepse ai gjatë mbjelljes mbulonte farën me dhe. Kurse, pas Islamit me këtë fjalë ata e thërrisnin pabesimtarin, sepse ai përmes të pavërtetës – mosbesimit përpiqet të mbulojë të vërtetën – besimin.

Ateisti (qafiri) me një krenari të pavend, nga padija, vazhdon të mohojë në mënyrë të pavetëdijshme çdo gjë hyjnore, duke mohuar madje edhe vetë Zotin. Çifuti Karl Marks ka deklaruar: "Zoti nuk e krijoi njeriun, por e vërteta është se njeriu është ai që e shpiku, e krijoi atë!" 

Ateizmi dhe filozofirat materialiste e verbërojnë dhe e zhveshin shpirtin nga çdo vlerë dhe virtyt, duke e zvetënuar natyrën e pastër njerëzore. Ai i nxori shoqëritë zbuluar dhe i zhveshi ato nga dinjiteti i tyre njerëzor. Asnjë ideologji tjetër, veç atyre ateiste, nuk ka qenë kaq e tejskajshme, dhe kaq çnjerëzore në esencë. Ateizmi nuk e edukon ndërgjegjen dhe njeriun e privon nga ndjenja e frikë-respektit ndaj Zotit, i Cili i sheh sjelljet dhe veprat e tij.

Mosbesimi e ngulfat shpirtin e njeriut dhe është si një ankth që të zë frymën. Mosbesimtari është i paaftë që ta kuptojë qëllimin e krijimit të jetës e të universit. Në kokën e tij vërtiten një grumbull hipotezash që nuk ia bindin mendjen dhe nuk i ofrojnë prehje për shpirtin.

Ideologjia komuniste predikonte se lumturia dhe shpëtimi vjen vetëm nga pabesia, nga mosbesimi, nga mohimi i Zotit, i librave dhe i të dërguarve të Tij!

Largimi nga Zoti i Madh nuk shpie vetëm në shkatërrimin psikologjik të njerëzimit, por, gjithashtu çon edhe në shkatërrimin dhe shthurjen e shoqërisë. Ateizmi mundohet të ofrojë vizionin e një universi materialist pa Zot, gjë që bie ndesh me teizmin. Ai pohon se njeriu dhe universi kanë dalë në ekzistencë nga mosqenia absolute në mënyrë të vetvetishme. Mosbesimi (kufri) sjell shqetësim, trazim dhe zbrazëti të pallogaritshme shpirtërore. Jeta e njeriut e gjen kuptimin e saj dhe e arrin pikësynimin, bindjen ndaj Zotit, vetëm në dritën e fesë. Me ateizëm jeta është absurde dhe e pakuptim.

Pabesimtarët thonë se gjithësia është e paqëllimtë, se njerëzimi është krijim i rastësisë, i pa  qëllimtë dhe se puna e tij përfundon njëherë e përgjithmonë me vdekjen e tij!

Mohimi lind ose prej një gjymtimi në procesin e të menduarit, ose prej një dobësie vullneti. Disa njerëz, të cilët, meqë pranë mijëra çështjeve të panjohura të gjithësisë pa anë e pa fund e të përtej saj, njohin ose pandehin se njohin një çështje, kanë rënë viktimë e krenarisë boshe për diturinë e tyre dhe janë rrëmbyer nga iluzioni se s'ekziston e vërtetë tjetër jashtë asaj që dinë ata vetë. Ata kanë pandehur se kanë ndriçuar një kontinent të tërë me një fije shkrepëse dhe kanë besuar se me dritën e fenerit të dorës kanë parë tërë gjithësinë!

Kur'ani duke përmendur ateistët që s'njohin jetën e pasosur, por vetëm pamjen vulgare të materies, e që gënjehen prej kënaqësive kalimtare të kësaj bote, thotë se mendimet e tyre janë identitet i një dyshimi të pabazë:

"Ata thanë: 'Nuk ka tjetër veç jetës sonë në këtë botë, këtu lindemi e këtu vdesim. Asgjë nuk na shkatërron tjetër përveç kohës'. Mirëpo ata nuk kanë asnjë njohuri për këtë përveç një dyshimi e pandehmë." (El Xhathije, 24.)

Ideologjitë ateiste zënë vendin e parë në listën e ideologjive që i kanë shkaktuar vuajtje dhe fatkeqësi shpirtërore njeriut. Mosbesimi, duke supozuar se njeriu jeton në këtë gjithësi vetëm duke u mbështetur në vetvete, pa Zotin që e ka krijuar, që e ndihmon dhe para të Cilit do të japë llogari, ligjëroi shqetësimin dhe frikën e njeriut për të ardhmen dhe prirjen e tij për egoizëm dhe individualizëm.

Mënyra e të menduarit nihilist, ku ekzistenca, jeta dhe krijimi konsiderohen të kotë, është jashtëzakonisht e dhimbshme dhe e  padurueshme. Edhe gjigantët më të mëdhenj nuk ia dolën që të përballojnë mosbesimin dhe konfliktet e brendshme në shpirtin e tyre.

F. Niçe i cili predikonte filozofinë ekzistencialiste dhe teorinë mbi ekzistimin e 'mbinjeriut' në vend të Zotit, dhjetë vitet e fundit para se të vdiste, përjetoi një krizë të thellë shpirtërore. Në atë rast ai thoshte: "Dua një mësues, më duhet një mësues. A s'është dikush që sheh më larg se unë? Më duhet një mësues." Kurse, Sartri në momentin e fundit i kishte thënë priftit: "Të lutem ndërmjetëso tek Zoti yt, i cili më mori të parët dhe më paralizoi dorën time të djathtë."

Ishte Çarls Darvini, babai i teorisë famëkeqe të evolucionit i cili tregoi tragjedinë e njeriut, pa Zot, që merret vetëm me shkencë, tragjedinë e intelektit të tjetërsuar dhe pasojat e saj. Në autobiografinë e tij ai shkruan se deri në moshën tridhjetëvjeçare gjente kënaqësi të madhe në muzikë, në poezi, pikturë, por më pas, për shumë vite, humbi çdo shije për to. Ai thotë: "Duket se mendja ime u bë njëfarë makine, e cila bluan grumbullimet e mëdha të fakteve në ligje të përgjithshme. Humbja e këtyre shijeve është e barasvlershme me humbjen e lumturisë dhe, ndoshta, në mënyrë të dëmshme pasqyrohet në aftësinë mendore dhe, më e mundshme, në aftësitë morale, sepse e dobëson anën emocionale të natyrës sonë. "

Që të gjithë këta kampionë të ateizmit përjetuan çaste të tmerrshme gjatë ndarjes nga kjo jetë. Por tragjedia dhe tmerri i tyre i vërtetë, kishte filluar që nga momenti kur ata me mospërfillje e injoruan besimin në All-llahun, duke mohuar atë që është e lindur (el fitra) dhe e pandashme në natyrën e secilit njeri. Mosbesimi nën një maskë të ashtuquajtur shkencore ia doli, që gjatë shekullit që lamë pas, të fitojë një ligjshmëri të rreme.

Ndërkaq, shkenca moderne po shtyn të ecurit drejt Zotit dhe është bërë mbështetje për fenë. Me përparimin e shkencës, besimi po forcohet. Me shtimin e dijes, vlera e fesë po shtohet! Shkenca po ec përpara me hapa marramendës. Sot asnjë i mençur s'mund të përsërisë budallallëkun e Haeckelit (1834-1919):

"Le të më japin mua ujë, lëndë kimike dhe kohë të mjaftueshme se jam në gjendje të krijoj një njeri!" 

Pas rënies së ideologjisë komuniste, dhe botëkuptimit ateist të institucionalizuar, mosbesimi gjithnjë e më tepër ka më pak ithtarë. Edhe përkundër kësaj, ai vazhdon të mbrohet me kryeneçësi nga mbështetës injorantë! Kufri pati efekte negative në sjelljet e njerëzve, në normat morale të popujve dhe në sistemet shoqërore.

Njerëzit sikur kanë filluar të vetëdijesohen dhe të kuptojnë mungesën e qëndrueshmërisë shkencore për shumë teorie ateiste, dhe rryma mendimi degraduese sikurse janë marksizmi, materializmi, ekzistencializmi etj. Sa më parë që njerëzit vetëdijesohen për një gjë të tillë, aq më shpejt do të jenë dëshmitarë të një përfundimi tragjik të tyre.

Mosbesimi shkakton ikje nga vetvetja, duke bërë që individi të kërkojë arratisje nga mendimet tmerruese dhe dërrmuese. Sakaq, edhe morali i tij i ngritur mbi dëlirësi pëson lëkundje. Pabesimtari fillon të kërkojë strehë duke u dëfryer dhe duke u kënaqur me gjëra që sjellin harrim, sikurse janë drogat dhe mjetet e tjera qetësuese!

Ateizmi dhe filozofia materialiste, padyshim, janë nga anët më të errëta të historisë njerëzore. Ato paraqesin degradim për dinjitetin e njeriut. Ku qëndron dinjiteti njerëzor nëse pretendohet, pa të drejtë dhe në mënyrë mashtruese, se njeriu është pasardhës i majmunit?

Po qe se e përjashtojmë ekzistencën e Zoti, ku e gjen individi të drejtën për t'u respektuar, gjë që është e domosdoshme kur flasim për dinjitet? Nëse një pikturë origjinale, ka cilësinë e së bukurës kurse 'çdo kopje ' është e shëmtuar,  jo për faktin se kopjes i është shtuar a i është hequr diçka, por se dallimi mes tyre qëndron në kontaktin personal ndërmjet veprës dhe artistit, atëherë, ku do të qëndronte bukuria dhe madhështia e njeriut nëse do të mohonim kontaktin direkt në mes njeriut dhe Krijuesit përmes aktit të Krijimit?!

Feja, morali dhe arti e kanë fillin nga akti i Krijimit. Mohimi ateist i  Krijimit, është mohimi më radikal i fesë, i etikës dhe i artit, madje edhe i së drejtës. Duke mohuar Krijuesin, ateizmi e grish njeriun që të braktisë  idenë për All-llahun, e cila është e lindur (kongenitale) dhe mendim permanent që e preokupon njeriun qysh kur ka filluar të ndiejë dhe të mendojë.

Filozofi i shquar, Rene Dekart këtë ndjenjë të lindur e shpreh kështu: "Unë me tërë qenien time, ndonëse nuk jam i përkryer, ndiej njëkohësisht për Atë dhe se ekziston një Qenie e Përkryer. Jam i detyruar të besoj se këto ndjenja të zhytura thellë në qenien time i ka vendosur pikërisht ajo Qenie e Përkryer (Krijuesi), me vetitë e Tij të përsosura."

Ateizmi, sikurse thamë më lart, vë në shënjestër të gjitha parimet etike. Sistemet ateiste shkaktuan për dekada të tëra tmerr, frikësim, dhe dhunë  në botë. Ato, këto mizori i konsideronin të arsyeshme dhe të justifikueshme, dhe gjithë ato i zbatuan në praktikë. Dhuna e ushtruar nga këto sisteme bëri që shek. 20, të konsiderohet Shekulli i Vuajtjeve dhe Megavdekjeve.

Mungesa e besimit, e shkaktuar nga rryma dhe sisteme të ndryshme, bëri që të zhvillohet një luftë e pamëshirshme, e cila u bë kob dhe tmerr për njeriun. Ateizmi filloi të propagandohej në çdo lëmi, nga arsimi tek arti, nga politika te historia. Shqipëria është shembulli më ekstrem i këtij terrori të ushtruar ndaj çdo gjëje hyjnore. Fatmirësisht përpjekjet gjigante për të krijuar një botë pa fe e Zot dështuan.

Një poet në poezinë e tij u shpreh: "Nuk është diçka në rregull me njeriun, në qoftë se në mesditë  kërkon t'i argumentohet se është ditë." Pasojë e rëndë e ateizmit është, pa dyshim, largimi masiv i njerëzve nga feja dhe tëhuajësimi gjithnjë e më i madh i njeriut nga natyra e tij vetjake dhe e përhershme. Ateizmi bëri që njeriu ta harrojë këtë natyrë të tij, duke u shmangur dhe larguar prej saj. Kjo harresë dhe shmangie mund të jetë vetëm kalimtare, por në të njëjtën kohë me siguri ajo do të ketë efekte katastrofale për të.

Mosbesimi formoi një boshllëk të madh moral e shpirtëror. Në ditët tona, kapërcimi gjithmonë e më shumë i kufirit të asaj që është e lejuar dhe përhapja e një mentaliteti inferior që s'merr parasysh vlerat morale dhe dispozitat fetare, është pasojë e ateizmit. Njerëzit, që mendojnë se nuk do t'i japin llogari Zotit, janë të prirë për shthurje. Në themel të të gjitha sjelljeve imorale, shihet qartë mungesa e fesë. Pa Zot nuk ka moral.

Hafiz Ali Korça para se komunizmi dhe komunistët të zvetënonin shpirtin e shoqërisë shqiptare shkruan: "Komunizmi – bolshevizmi nuk e njeh formimin familjar. Thonë, nuk duhet të ketë martesë. Mëmë e atë nuk duhet të njohin se cilin kanë birë e bij. Si virgat dhe çvirgat janë një, duhet të formohen jetimë familjarë sipas rregullave bolshevike, d.m.th. nuk do të dinë cilën kanë bij e cilin bir dhe kështu do të shpëtojnë nga gajleja e fëmijës, mirëpo më pastaj babai do të marrë të bijën për grua, një gjë që nuk e bëjnë as kafshët".

Pas një lufte të pamëshirshme mbi natyrën e njeriut, sistemet ateiste filluan të shfaqen me surratin e tyre të vërtetë. Padyshim, çdo filozofi e cila i kundërvihet besimit në Zot është e destinuar të dështojë, sepse bie ndesh me natyrën e pastër të njeriut të dhuruar nga Zoti. Muhammedi a.s. thotë:

"Çdo foshnje lind me natyrë të pastër (me besim islam tek Zoti , por prindërit (dhe mjedisi) mund ta shndërrojnë në çifut, të krishterë, adhurues të zjarrit (ateist) etj. "

Besimi, si veçori shpirtërore, i është dhënë njeriut dhuratë nga Zoti, në botën e shpirtrave. All-llahu kërkoi nga bijtë e Ademit që të dëshmojnë se Ai është Zoti i tyre, dhe gjithë njerëzimi dëshmoi:

"Dhe kur Zoti yt nga kryqet e të bijve të Ademit nxori pasardhësit e tyre dhe kërkoi prej tyre të dëshmojnë kundër vetes: 'A nuk jam unë Zoti juaj?'‚ 'Po, si jo, - thanë ata, - ne dëshmojmë' që të mos thoni në Ditën e Kiametit 'Ne kemi qenë indiferentë ndaj kësaj'. (El Araf, 172.)

Pra, ndjenjën e të besuarit njeriu e solli me vete në këtë botë. Filozofi i shquar Henri Bergson, thotë:

"Është gjetur dhe gjendet shoqëri njerëzore pa shkencë, pa art e filozofi, mirëpo asnjëherë nuk është gjetur ndonjë shoqëri pa fe."

Kurse Plutarku, historian i vjetër grek, thotë:

"Gjatë historisë ka mundur të ndodhë që të ketë qytete pa fortifikata, pa shkolla, pa pallate luksoze, por asnjëherë nuk është hasur ndonjë qytet pa faltore."

Pra njeriu është i lidhur ekzistencialisht me Zotin, sepse shpirti i tij, sipas natyrës së vet paraekzistenciale, është i kthyer nga Zoti dhe i përcaktuar nga brenda për Zotin.

Ateizmi duke mohuar Zotin vë rastësinë dhe mohon parimet bazë, duke bërë të pamundshme të përcaktohet se çfarë është e moralshme e çfarë e pamoralshme. Kështu, ai lë shteg që  njerëzit t'i vendosin ligjet sipas hamendjes dhe tekeve të tyre. Sipas tij nuk ka vlera absolute, të shenjta, as parime të cilave do të duhej t'u përmbaheshin njerëzit. Mosbesimi është verbal, sipërfaqësor, frazë, hamendje, iluzion dhe vetëmashtrim.

Afetarët thonë se feja s'ka asgjë që e fisnikëron dhe e lartëson shpirtin. Një thënie e tillë është sikurse një thënie e një thënësi që do të shprehej se simfonia e Bet'hovenit nuk të trazon, se ajo nuk ka asgjë ngazëlluese. Një thënie e tillë, ndoshta do të ishte vlerësim për thënësin dhe veten e tij, por jo edhe për fenë në përgjithësi e Islamin në veçanti.

Shembulli i ateistit është si caliku i fryrë nga jashtë, por bosh, e i rrënuar në brendinë e tij. Vakumi në brendinë e tij nuk e lë të qetë, por proteston gjithnjë për çdo shmangie nga natyra e tij e prirë për besim.

Jo rrallë ndodh që për fenë, të diskutojnë njerëz kapriçiozë, që nuk kanë dije dhe ngazëllim fetar dhe te të cilët verbëria e brendshme, pushteti i kapriceve dhe kryeneçësia kanë asgjësuar dritën e besimit në All-llahun e Gjithëfuqishëm. Vetëm ata njerëz, që bartin në vete dhuratën e shumë vlefshme të besimit (imanit),  mund të kuptojnë se si muslimanët e parë, ndonëse të pakët në numër, arrinin të korrnin fitore pas fitoreje.

Muslimanët nuk do të arrinin gjithë atë sukses mahnitës pa besim të sinqertë te Zoti dhe pa ndihmën e Tij, të cilën e merituan me sakrifica dhe bindje të paluhatshme. Porosia Islame u përhap vetëm gjatë një shekulli prej Indisë, deri tek Oqeani Atlantik.

Kur'ani na mëson mbi qëllimin dhe  kuptimin e jetës dhe pozitën e njeriut në Tokë dhe gjithësi.

Dikush mund të pyes: Nëse vërtet Kur'ani është fjalë e Zotit, pse nuk i përmban të gjitha të vërtetat shkencore? Mund ta marrim me mend se sa voluminoz do të ishte një libër i  tillë, në të cilin do të mund të ishin të shkruara të gjitha të vërtetat shkencore, nëse ato të vërteta mund të kishin fund. A thua vallë, përgjigjet për problemet tona do t'i gjenim më lehtë në një libër të shkruar, në mënyrë aq voluminoze, apo në natyrë e cila është libër i hapur "për ata që meditojnë" sikurse shprehet Kur'ani famëlartë?

Si do të dukej bota pa Muhammedin a.s. dhe pa muslimanët, të cilët kanë dhënë kontribut fantastik në fushën e shkencës dhe dijeve njerëzore për shekuj me radhë? Të kujtojmë se çka ka krijuar Islami, t'i kujtojmë ato periudha të lavdishme të Islamit dhe kontributin që muslimanët i kanë dhënë mendimit njerëzor, kontribut pa të cilin  Bota akoma do të ishte në kohën e injorancës (xhahilijetit) dhe errësirës.

Rozhe Garodi, francezi i islamizuar, Shkruan: "Islami ka nxitur njërën prej shkallëve më të mrekullueshme të frymës shkencore, atë çfarë bota se kish parë ndonjëherë: prej matematikës e deri te mjekësia, prej astronomisë e deri te fizika. Kultura Islame shndriti me shkëlqimin e vet për shekuj me radhë. Shembulli i universitetit Islamik në Kordovë, në  shek. X paraqitet si shembull, shpirti i të cilit duhet gjallëruar për t'u zhvilluar sërish shkencat, jo për t'u vënë në shërbim të shkatërrimit të njerëzimit, por për t'i shërbyer rilindjes (shpirtërore) të njeriut në rrugën e Zotit."

Si do të dukej njerëzimi sikur të ç'rrënjosej feja nga jeta e tyre. A do të kishte kuptim jeta?! Cili do të ishte misioni i njeriut në Tokë? Feja me ndikimin e saj, ka formuar shoqëri të moralshme dhe ka nxjerrë aq shumë njerëz të mëdhenj, sikurse ishin të dërguarit e Zotit dhe shumë kolosë të tjerë, dhe me frymëzimin e saj janë realizuar vepra të tilla artistike madhështore, sa që s`mund të parafytyrohet se sa e shkretë do të dukej Bota pa gjithë këto mrekulli magjepse, të cilat janë krijuar të frymëzuara nga feja.

All-llahun e kanë mohuar ata që u është dobësuar vullneti për shkak të presionit të dembelizmit (indiferentizmit), interesave dhe dëshirave të ulëta të tyre. I kanë zënë veshët e tyre sepse s'kanë dashur të dëgjojnë të vërtetën, i kanë ngrirë mendjet sepse nuk kanë dashur të kuptojnë. Për të tillët Kur'ani thotë:

"A e ke parë atë që dëshirat e veta i ka bërë zot? A mund t'i bëhesh mbrojtës ti tani atij? Apo mos kujton se shumica e tyre dëgjojnë fjalët e kuptojnë? Ata nuk u ngjajnë tjetër veçse kafshëve, madje, janë më të humbur se ato!" (El Furkan, 43-44.)

Murad Hofmann, gjerman i islamizuar, për shoqërinë perëndimore thotë: "T'i shohim ato viktima të shoqërisë amorale industriale. Ata kanë gjithçka - autonominë, mbrojtje prej djepit deri në varr, seks pa tabu, drogë gjoja për shkak të kërkesës, pjesën më të madhe të kohës së lirë dhe të gjitha të drejtat e njeriut që mund të mendohen. Por, ajo që ata e mbajnë mend është zbrazëtira ekzistenciale. Ajo për çka ata përmallohen është ngrohtësia dhe mësuesi shpirtëror i cili shkëlqen nga autoriteti... Më herët apo më vonë, në kërkim të alternativës, të fesë së pamohueshme, (Perëndimi) do të takojë fenomenin e Islamit, i cili është në ngritje dhe që sot njihet si rrugë e tretë ndërmjet utopisë së Perëndimit dhe materializmit të Lindjes."     

Kurse, Rozhe Garodi thotë:                                       

"Problemi themelor qëndron në atë se, njeriut duhet t'i kthehen dimensionet e tij të vërteta njerëzore: Besimi në transcendencën Hyjnore, në bashkësinë njerëzore dhe vetëdija mbi përgjegjësinë personale."

Qëllimi që i është venë njeriut në Kur'anin e shenjtë është të dijë të kthehet në normë, në natyrën origjinale dhe të përhershme njerëzore, në fitreh:

"Ti drejto fytyrën tënde kah feja si besimtar i vërtetë, feja (norma) e All-llahut, me të cilën i krijoi njerëzit. S'ka ndryshim të asaj  natyrshmërie të krijuar nga All-llahu, ajo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë." (Er Rum, 406.)