Kërkoj një pushtetar me emrin njeri!
Mirsad SYLJA
Para pak ditësh, në një periudhë të shkurtër kohore u ritregua burrëria e pushtetarëve tanë, duke përjashtuar nga shkolla dy vajza muslimane për shkak se mbanin në kokë mbulesën karakteristike islame... Ky nuk është rasti i parë, pasi gjatë këtyre viteve të fundit jemi përballur shpeshherë me një diskriminim të tillë përjashtues. Ndërkohë që u prite një lloj balancimi apo shfajësimi nga ministria jonë e famshme e arsimit, vetë ministri z. Beja deklaron në media, se në shkollat shqiptare ‘nuk do të lejohen të arsimohen nxënëset apo studentet që në kokat e tyre mbajnë shami’!Mundohem, përpiqem dhe tentoj (si çdo herë) t’a kuptoj e arsyetoj z. ministrin për aq sa tha; mirëpo këtë radhë e kam të vështirë... E kam të vështirë për vetë faktin se nuk arrij të kuptoj logjikën dhe urtësinë e këtij pohimi! Nuk arrij të kuptoj se, përse është kaq shqetësim për ministrin në fjalë, një shami e thjeshtë e cila tregon devotshmëri, sakrificë e vullnet të madh... Ashtu siç nuk arrij të gjej mbulesën ndër problemet kryesore me të cilën duhet të merret arsimi shqiptar dhe së cilës i duhet kushtuar kaq shumë kujdes e vëmendje!
I nderuar ministër!
Të mos respektosh parimet e një feje hyjnore, do të thotë se juve e keni ngarkuar veten me përgjegjësi që (fatkeqësisht) s’ju takojnë. Një vajzë e cila mban një mbulesë të tillë në shkollë, universitet a kudo qoftë, dëshmon se në zemrën e saj ka besim për të Madhin Zot, dëshmon se e don Atë dhe se i bindet Atij! Atëherë, ndoshta me të drejtë pyes, si mundet që një njeri i cili jeton dhe vepron komform ligjeve hyjnore, te jetë i dëmshëm dhe i rrezikshëm për shoqërinë në të cilën jeton, aq sa edhe të përjashtohet nga shkolla?!
Ajo vajzë që mban një shami të tillë në këtë kohë, mos mendo se e ka të lehtë. Mos mendo se e ka të lehtë t’i rezistojë paragjykimeve e diskriminimeve që i bëhen; por ajo është e fortë dhe reziston sepse e bën të tillë bindja që ajo ka, vullneti i hekurt që posedon, shpirti i madh që e karakterizon..., të paktën për këto karakteristika që s’mund t’i gjeni tek shumica e të rinjve shqiptarë, ju duhet ta respektoni e ta nderoni...
Ajo çdo herë bën thirrje për të mirën, për të bukurën e për fisniken, që të lartësohet e drejta dhe shoqërisë sonë rinore t’i kthehet dinjiteti që i ka humbur nga sëmundjet fatkeqe të kohës. Ajo çdo herë përpiqet të jetë shembull i të mirës, i bujarisë dhe moralit të lartë; sepse s’ka si të jetë ndryshe përderisa ajo vepron me ligj hyjnor e moral njerëzor...
I nderuar ministër!
Besoj se ju dhe institucioni që ju përfaqësoni, keni punë më të mëdha se të merreni me një mbulesë të thjeshtë, që në fund të fundit është zgjedhje personale dhe që çdo herë mbetet në kornizat e personales! Besoj se për juve dhe të gjithë ne (sepse mbi të gjitha është një obligim moral dhe njerëzor) është më me rëndësi që të largojmë tutje nga shkollat tona drogën dhe alkoolin. Që në shkollat tona mos të mbizotërojë ‘trimëria’ përball mësuesit apo pedagogut, por të mbizotërojë edukata njerëzore. Kemi nevojë që shkollat tona mos t’i ngatërrojmë me fabrikat që prodhojnë duhan; që studenti apo nxënësi të mbajë në xhep stilolaps, në vend të paketës së cigares apo armëve të ftohta. Kemi nevojë që në shkollat tona të bëhet mësim, jo presion mësues-nxënës (apo e kundërta) për interesa personale... Kemi nevojë që në shkollat tona të bëhet mësim, jo ekspozim provokues apo paradë mode! Kemi nevojë që në shkollat tona të mos prodhohet e të imponohet imoralitet, por të prodhohet dije, kulturë e qytetërim. Kemi nevojë që në shkollat tona të kemi infrastrukturë për të bërë mësim, kushte laboratorike e didaktike... Këto mendoj se duhet të jenë sfidat dhe prioritetet e ministrisë së arsimit, jo të merret me imponimin e heqjes së mbulesës, apo përzënien e individëve nga dyert e institucionit arsimor!
Janë shumë të rralla në botë, rastet kur përjashtohen nga shkolla vajzat me shami dhe rastet kur atyre u ndalohet e drejta për t’u arsimuar... Merreni si shembull kë të doni në botën perëndimore, vajza e mbuluar lejohet të arsimohet e të frekuentojë shkollën, sepse është e drejtë e saj... Nga ana tjetër, edhe bota i njeh vlerat e saj, e respekton dhe i jep vendin që realisht i takon! E gjithë kjo, sepse e drejta, besimi dhe njeriu si qenie e lirë, janë më të shenjta se mendësia e një ministri...
Po nënë Tereza, i nderuar ministër, përse nuk u shpërfill nga bota? Përse nuk u përjashtua edhe ajo nga institucionet, sepse edhe ajo ishte e mbuluar me shami në kokë... Përse u nderua e u respektua kudo që shkoi, në çdo vend të botës; mos vallë edhe ajo duhej të përzëhej sepse në kokë mbante mbulesë?... Por, jo! Jo, asnjëherë nuk ndodhi një gjë e tillë, sepse bota i di vlerat e asaj që sakrifikon dhe në kokën e saj mban shami (mbulesë), e kujtdo besimi qoftë...
Turp!
Është turp për ‘Ministrinë e Arsimit’ sot, në vitin 2009-të dhe në kohën që sapo u anëtarësuam në NATO, të përzejë nga shkolla një qytetare të thjeshtë që paguan të gjitha taksat që i detyrohet shtetit, e që shteti ia kthen me më të mirën e mundshme duke e nxjerrur në rrugë... Është turp të nxjerrësh në rrugë një njeri që e do dijen (dhe që nesër do të jetë promotor i saj) e të mbash në shkollë një njeri që as sesi s’e meriton! Është turp të shkelësh mbi një parim hyjnor dhe mbi dinjitetin e një vajze që me të drejtë kërkon të arsimohet e që nesër të jetë një ogur i vyer për shoqërinë në të cilën jeton...
Turp edhe për institucionin e ‘Komunitetit Musliman Shqiptar’ që s’është i aftë të përfaqësojë e të mbrojë interesat e bashkësisë së tij, por bën deklarata false dhe e lë bashkësinë të orvatet sa lart-poshtë, duke mbledhur firma, dërguar letra e peticione në presidencë, kryeministri, zyrat e OSBE-së, ambasadave, etj., etj. E gjithë kjo, ngase institucioni përfaqësues i muslimanëve shqiptar është i paaftë të mbrojë interesat e komunitetit të tij, sepse mund ta zgjidhte një herë e mirë çështjen e shamive kur u bë ‘nënshkrimi i marrëveshjes mes komuniteteve fetare dhe shtetit Shqiptar’, por...!
Përfundimisht!
Shamia apo mbulesa e femrës muslimane është e shenjtë, atë s’mund ta nëpërkëmbi as një ministër, as një institucion, askush!
Nëse është e mundur, i kërkoj ministrit që të dalë publikisht dhe t’na e bëjë të qartë urdhrin e tij: ‘Në shkolla dhe universitete s’ka vajza të mbuluara’! Të na tregojë neve që jemi pro shamisë në shkolla, përse e kemi gabim qëndrimin tonë; por jo me deklarata të prera duke imituar komunizmin e 67-ës që ndaloi barbarisht besimin e shenjtë fetar..., edhe vendimi i fundit i ministrit është monizëm me emrin ‘Demokraci’, siç ishin më herët monizëm vendimet e xhaxhit Enver!
Nga ana tjetër, edhe muslimanët duhet të marrin në dorë vetë fatin dhe të mbrojnë të drejtat e tyre, madje të shkojnë aq larg sa edhe të thonë se, ‘votën në zgjedhje’ ia japim atyre që mbrojnë interesat morale dhe fetare!
Nëse ‘Feja islame’ është e pranuar me ‘Kushtetutën shqiptare’, atëherë ajo duhet patjetër të pranohet si tërësi e jo fragmentarisht. Shamia nuk është import nga jashtë por një realitet fetar dhe historik shumëshekullor. Vendimet e qeverisë duhet të jenë manifestim i vullnetit të qytetarëve e jo qytetarët të jenë manifestim i vendimeve të qeverisë. Sepse qeveritë vijnë e shkojnë, ndërsa vlerat fetare janë ato që mbesin përjetë!...
Ministri e kushdo qoftë, duhet të mbahet e të krenohet me atë që mund të ndërtojnë për të ardhmen e shoqërisë e të arsimit shqiptar, e jo me përjashtim dhe nxjerrje në rrugë. Nuk është e hijshme t’ua përplasësh kushtetutën e të mbulohesh me të, sepse siç thoshte edhe Mark Tuen: ‘Shpeshherë e drejta për budallallëk mbrohet nga kushtetuta. Kjo është garantuar, ngase shumica e tyre shpalosin budallallëkun e tyre në qeverisje’...
Shkodër, më 13. 04. 2009
Më datë 29.03.2008, në ambientet e Grand Hotel Europa, u organizua në qytetin e Shkodrës promovimi i shoqatës më të re kulturoro-edukative, ‘Burimi’.Merrnin pjesë funksionarë të lartë të institucioneve vendore, si prefekti i qarkut Shkodër z. Maxhid Cungu, anëtarë të këshillit bashkiak, myftiu i Shkodrës H. Ndriçim Sulejmani, profesorë dhe intelektualë nga fusha të ndryshme, të ftuar nga Tirana, etj.
Shoqata Kulturore, humanitare "BURIMI", ne vazhden e aktiviteteve te saje bamirese, organizoi takimin me jetimet e rrethit te Shkodres, ne Bar Restorant "Hysa", ne te cilen u bene ndarjet e ndihmave ekonomike dhe dhuratava te ndryshme...
Për realizimin e këtij aktiviteti falenderojme mbeshtetjen qe na ka dhene Myftinia Shkoder dhe konkretisht Myftiu Ndriçim Sulejmani si dhe te gjithe ato individe te cilet kane ofruar ndihmen e tyre per mbarvajtjen e ketij projekti.


