1. Skip to Menu
  2. Skip to Content
  3. Skip to Footer
Më datë 29.03.2008, në ambientet e Grand Hotel Europa, u organizua në qytetin e Shkodrës promovimi i shoqatës më të re kulturoro-edukative, ‘Burimi’.Merrnin pjesë funksionarë të lartë të institucioneve vendore, si prefekti i qarkut Shkodër z. Maxhid Cungu, anëtarë të këshillit bashkiak, myftiu i Shkodrës H. Ndriçim Sulejmani, profesorë dhe intelektualë nga fusha të ndryshme, të ftuar nga Tirana, etj.
Shoqata Kulturore, humanitare "BURIMI", ne vazhden e aktiviteteve te saje bamirese, organizoi takimin me jetimet e rrethit te Shkodres, ne Bar Restorant "Hysa", ne te cilen u bene ndarjet e ndihmave ekonomike dhe dhuratava te ndryshme...
Për realizimin e këtij aktiviteti falenderojme mbeshtetjen qe na ka dhene Myftinia Shkoder dhe konkretisht Myftiu  Ndriçim Sulejmani si dhe te gjithe ato individe  te cilet kane ofruar ndihmen e tyre per mbarvajtjen e ketij projekti.
  • Previous
  • Next
  • Stop
  • Play
  • Promovimi
  • Me jetimet
  • Kursi Verore

Dialogu si rruge e dosmosdoshme

PDF Print E-mail

Ramiz Zekaj  Debatet e tanishme midis myslimanëve shqiptarë i konsideroj si situatë të dialogut të munguar, përderisa askush nuk ka marrë iniciativën për të ulur palët e konfliktit në tavolinën e rrumbullakët, edhe pse ballafaqimet sa vijnë e ndizen më shumë, ndërkohë që sinjalet për paqe janë të pakta.

Dialogu është përvojë e kahershme e njerëzimit, si domosdoshmëri për t‘i përcjellë njëri-tjetrit idetë, mendimet dhe përvojat. Me dialog njerëzit kanë gjetur rrugën e përbashkët të progresit, si dhe gjuhën e mirëkuptimit. Vetëm nëpërmjet dialogut janë eliminuar konfliktet dhe keqkuptimet midis njerëzve.

Si kulturë komunikimi dhe përpjekje për mirëkuptim e bashkëveprim reciprok, dialogu edhe midis shqiptarëve ka funksionuar dhe ndihmuar në vendosjen e bashkëveprimit. Kuvendet, odat dhe memorandumet, historikisht kanë qenë forma dialogimi dhe zgjidhje problemesh në makro dhe mikroshqiptar: në familje, në lagje, në fshat apo qytet, në rajon e zonë. Duke filluar me Lidhjen e Lezhës, me kuvendet ballkanike, kuvendet e Prizrenit, Pejës, Gërçës, Manastirit, Elbasanit, Vlorës, Lushnjës etj., të gjitha këto janë dëshmi e provë e funksionimit të dialogut ndërshqiptar dhe të vlerave që ai ka pasur në proceset e progresit të kombit tonë.

Duhet kuptuar se dialogu është dëshirë dhe përpjekje e palëve me interesa të njëjta thelbësore, por me diversitete në kuptim dhe interpretim të gjërave. Ndërkohë, që në besimin islam dialogimi merr kuptim dhe dimension më të gjerë, që burojnë nga fakti i besimit tek i njëjti Zot, prej të cilit marrim të njëjtat porosi e mësime. Besojnë dhe marrin mësime nga i njëjti Libër i shenjtë, nga Kurani Fisnik; besojnë dhe marrin porosi nga i njëjti profet, nga Profeti Muhamed (a.s.).

Sot, myslimanët e gjithë botës tubohen rreth të njëjtit besim, mbështeten në të njëjtat ligje hyjnore, parime e shtylla besimi, zbatojnë të njëjtat praktika e rite fetare. Ata e orientojnë faljen drejt të njëjtës Kibel, kanë interesa, qëllime dhe kuptime të njëjta për botën, jetën dhe shoqërinë.

Të gjitha këto janë premisa të fuqishme që myslimanët e gjithë rruzullit tokësor, edhe myslimanët shqiptarë duhet të dialogojnë për të çuar përpara besimin islam dhe së bashku me të, edhe shoqërinë e botën shpirtërore të të gjithë myslimanëve.

Ne duhet të dialogojmë dhe mirëkuptohemi midis nesh, për disa arsye:

Së pari, dialogimi është porosi hyjnore që vjen nga Kurani Fisnik dhe nga Hadithet e Profetit Muhamed (a.s.). Në Kuran Allahu (xh.sh) porosit: "Thirr në rrugën e Zotit tënd me mençuri dhe këshillë të bukur dhe diskuto me ata në mënyrën më të mirë! Më të vërtetë Zoti yt i di më së miri ata që janë shmangur nga rruga e Tij, e di më së miri ata, që janë në rrugë të drejtë". Ky citat kuranor na ndihmon të kuptojmë se përse duhet të dialogojmë dhe si duhet të dialogojmë.

Edhe Profeti Muhamed (a.s.) për të përhapur Islamin zgjodhi rrugën e dialogimit dhe jo të imponimit, bindi të pabindurit, luftoi idhujtarinë, bashkoi myslimanët dhe ndërtoi një shoqëri të re, ku sundonte e vepronte ligji hyjnor dhe mirëkuptimi e harmonia, si elemente bazë për mbarëvajtjen e shoqërisë njerëzore. Realizoi porosinë që myslimanët duhet të jenë bashkë si gishtat e dorës.

Së dyti, nëpërmjet dialogut te besimtarët myslimanë përcillen të pastra e të padeformuara mësimet e Kuranit dhe synetit. Kështu që kjo është premisë dhe faktor që myslimanët të ushqehen nga të njëjtat burime. Duke pasur parasysh këtu myslimanët e të gjitha kohërave, e të gjitha kombësive, racave dhe në cilëndo pikë të globit që të ndodhen e të jetojnë.

Së treti, nëpërmjet dialogimit, ne bashkojmë dhe unifikojmë veprimet dhe qëndrimet e myslimanëve, në rang botëror, rajonal dhe krahinor, kapërcejmë konfliktet dhe përçarjet. Për këtë na mëson më së miri porosia kuranore. "Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kuranin) dhe mos u përçani! Kuptoni dhuntinë e Allahut për ju, sepse, kur ishit në armiqësi. Ai i pajtoi zemrat tuaja, e në sajë të dhuntisë së Tij, u bëtë vëllezër. Dhe ju ishit buzë greminës së zjarrit, ndërsa Ai ju shpëtoi prej saj. Kështu, Allahu ju shpjegon shpalljet e Veta, që ju të drejtoheni në udhën e drejtë".

Sot, midis myslimanëve në botë, por edhe në Shqipëri është krijuar një situatë e tillë që kërkon që ky ajet i Kuranit të lexohet, rilexohet të kuptohet mirë dhe të udhëheq gjithë qëndrimet e veprimet e tona.

Së katërti, dialogu na shërben për të qartësuar dhe për të dalluar të mirën nga e keqja dhe për të siguruar triumfin e së mirës, për të dalluar të vërtetën nga e pavërteta dhe për të mbështetur triumfin e së vërtetës. Sot në gjithë botën, edhe në vendin tonë dhe në gjirin e shoqërisë islame, edhe midis myslimanëve shqiptarë janë dukur e figuruar paradokse e antiteza ku duket qartazi se mirëkuptimi është venitur. Fatkeqësisht për këto mospërputhje nuk po gjendet rruga e dialogut, por gjuha e akuzave e sharjeve dhe çuarja e problemeve në dyert e gjykatave.

Që dialogu të jetë i suksesshëm të shënojë mirëkuptim e pajtimin dhe jo përçarje, nevojitet që palët në dialog të nisen nga qëllime të mira dhe interesa të përbashkëta, nga respekti reciprok dhe pa paragjykime për njëri-tjetrin. Prandaj, duhet që të mos i shmangemi dialogut, i cili është i domosdoshëm sot më shumë se kurrë, për të mos shkuar aty ku do t‘u bënim qejfin atyre që nuk na duan të mirën. Sigurisht, që është e pahijshme të ketë gjëra të tilla. Të ketë fyerje e sharje publike, që po vihen re kohët e fundit, mes myslimanëve shqiptarë sot. Fatkeqësisht, ka kohë që është i dukshëm fakti se midis përfaqësuesve të institucioneve islame te ne dhe besimtarëve, komunikimi nuk është në nivelet e duhura, harmonia dhe uniteti është dobësuar dhe dukuria e përçarjes është evidente. Edhe kjo ka arsyet e veta:

Së pari, një pjesë e myslimanëve shqiptarë nuk e kuptojnë rëndësinë e të qenurit bashkë përballë sfidave, me të cilat përballet Islami në rrafshin ndërkombëtar, por edhe atë shqiptar. Nuk kuptojnë se akuzat dhe lufta aktuale ndaj Islamit kërkon unitet dhe bashkëveprim.

Në mjedisin botëror edhe atë shqiptar, cilido mysliman e kupton dhe e ndien dukurinë islamofobe, që shfaqet herë më shumë e herë më pak nga qarqe të caktuara. Sigurisht, që sot Islami dhe myslimanët kanë më shumë miq, por duhet pranuar se ka edhe qëndrime dashakeqe, dyshuese dhe akuzuese ndaj islamit. Cilido në mjedisin shqiptar nuhat kohë mbas kohe atmosferën e helmatisur antiislame. Jo pak figura të njohura te ne, e burizanë kundërshtarë të Islamit kanë lëshuar alarmin e rrezikut islamik.

Së dyti, ka midis myslimanëve shqiptarë nga ata që nuk shqetësohen dhe nuk kuptojnë pasojat e përçarjes. Përçarja i bën më kurajozë, e më iniciatorë dhe agresorë, armiqtë dhe kundërshtarët e Islamit që të sulmojnë. Dhe akoma më keq ndaj këtyre akuzave ndihen më shumë zëra të mekur dhe jo një zë i fuqishëm, që do të drejtonte besimtarët drejt një zhvillimi kulturor e shpirtëror, të cilin aq shumë e kanë të nevojshëm.

Së treti, nga përçarja myslimanët humbasin shumë, humbasin vlerat që ofron dialogimi njerëzor dhe lidhja e fortë që atyre u ka krijuar përkatësia myslimane. Kjo do të thotë se kështu myslimanët humbasin kontaktet dhe komunikimet mes tyre, nuk shkëmbejnë idetë, pikëpamjet, përvojat dhe përpjekjet në zbulimin dhe përgjithësimin e vlerave të besimit islam.

Së katërti, nga përçarja lëkunden bindjet dhe idetë e besimit të masave, vihen në pikëpyetje parimet dhe normat islame, humbet vendosmëria dhe motivi. Duhet kuptuar edhe shpjeguar mirë se përçarja i çon njerëzit drejt mërzisë dhe mosbesimit.

Personalisht, debatet e tanishme midis myslimanëve shqiptarë i konsideroj edhe si situatë e dialogut të munguar, përderisa askush nuk ka marrë iniciativën për të ulur palët e konfliktit në tavolinën e rrumbullakët, edhe pse ballafaqimet sa vijnë e ndizen më shumë, ndërkohë që sinjalet për paqe janë të pakta. Është shumë e gabuar shmangia e dialogut nga ana e përfaqësuesve të Komunitetit Mysliman Shqiptar në këtë rast, sidomos aty ku ai ndihet i nevojshëm, midis teologëve shqiptarë të përgatitur në shkollat e larta islame. Ka prej tyre që mund t‘u japin zgjidhje të drejtë dhe të argumentuar pyetjeve që ngrihen sot nga xhemati shqiptar, por edhe nga opinioni intelektual dhe më gjerë.

Dialogu mes besimtarëve myslimanë te ne do të jetë i suksesshëm dhe i dobishëm, nëse ai nuk bie në nivele të ulëta, e nuk bëhet për cingërima e vogëlsira, që gjenden diku në periferi e jo në qendër të besimit. Më konkretisht, ne duhet ta zhvillojmë dialogun, madje edhe debatin për problemet thelbësore që pret të sqarohet publiku shqiptar, ashtu siç duhet të gjejmë zgjidhjet e nevojshme për paqartësirat që hasim si shoqëri, e cila me padurim po pret t‘i hapen portat e NATO-s dhe lëvizja e lirë në Evropën e Bashkuar.

Duhet punuar në gjetjen e rrugëve, mjeteve dhe formave më të përshtatshme, e më rezultative për të përcjellë në masën e besimtarëve myslimanë mësimet e porositë e Kuranit dhe të Profetit tonë të dashur, e mbi të gjitha, të kultivojmë në shpirtin e të rinjve tanë ndjenjën e besimit në Zot. Prioritetet nuk duhen kërkuar në poste, në karriera apo funksione, por në forcën bindëse e në faktin se sa të kupton dhe mbështet xhemati; në të kundërt rrezikon të jesh një shtab pa ushtarë, një kokë që nuk i binden gjymtyrët.

Nga përfaqësuesit e institucioneve islame në vend, sot kërkohet për të përcjellë te besimtarët, virtytet dhe moralin e pastër, oksigjenin që prodhohet nga flora islame, për të krijuar klimën e shëndetshme për të cilën ka nevojë shoqëria njerëzore në përgjithësi, por edhe ajo shqiptare në veçanti. Për të përballuar fluksin e imoralitetit, krimit, vesit, shkatërrimit shpirtëror, i cili rrezikon e kërcënon seriozisht shoqërinë tonë. Sot njerëzit janë të lodhur e mosbesues ndaj një propagande dhe emisioneve të opinionistëve, ku analizohen shkaqet dhe pasojat e veseve të këqija, që kanë kapluar një pjesë të shoqërisë, por që harrohet ose nuk thuhet me qëllim ilaçi, që është forca e besimit, e cila i jep njeriut kuptimin e vërtetë të jetës dhe misionin e njeriut si krijesë e Zotit. Kjo duhet të jetë pjesa ku duhet të derdhen fuqitë e drejtuesve tanë shpirtërorë.

Sot është detyrë mbi detyrat për të përcjellë një orë e më parë te myslimanët dijet e vërteta mbi besimin, mbi botën, gjithësinë, njeriun, shoqërinë etj. Të rinjtë tanë kanë nevojë të mësojnë për Islamin si besim, si ideologji, si histori, si dije, si kulturë, si mënyrë jetese. Nëpërmjet këtij objekti dialogu, myslimanët do e kuptojnë më mirë rrugën se nga duhet të orientohen, e do të marrin vlerat universale të besimit islam, që do i çojnë ata përpara të denjë e krenarë. Të rinjtë tanë kanë shumë nevojë të njohin historinë e islamit, historinë e përhapjes së tij në botë, të rolit të tij në hapësirat gjeografike shqiptare, të vlerave e traditave të krijuara nga trashëgimia islame në letërsi, shkencë e kulturë, të mesazheve të të parëve tanë, të ndikimit etnokulturor që besimi islam pati gjatë shekujve të fundit në jetën e shqiptarëve. Teologët shqiptarë duhet të shpjegojnë më mirë rolin e besimit islam si faktor bashkimi dhe kontributet që kanë dhënë prindërit tanë në përballimin e rreziqeve që historikisht na janë kanosur. Fatmirësisht ndër ne ka studiues dhe historianë që me objektivitet e vërtetësi e kanë thënë dhe po e thonë fjalën e tyre, por kjo duhet trajtuar nga ne, sidomos në optikën e zhvillimeve të reja që ka sot shoqëria shqiptare dhe ajo evropiane.

Ne, sot më shumë se kurrë, kemi mundësi e mjete për të përcjellë qartë e bukur vlerat dhe rolin social të islamit si faktor rregullues i familjes, si forcë mënjanuese e rreziqeve dhe fatkeqësive që kërcënojnë njerëzimin. Për këto probleme, studiuesit myslimanë dhe teologët, pse jo edhe sociologët, psikologët, intelektualët myslimanë, secili nga fusha dhe këndvështrimi i tij, duhet të marrin iniciativa më serioze për të thënë fjalën e tyre me kompetencë dhe vërtetësi, për thesarin e çmuar që në fakt ne e kemi në dorë, por që nuk e vlerësojmë sa duhet dhe nuk punojmë për ta bërë atë pjesë të jetës.

Në Shqipëri tashmë dihet se për disa shekuj radhazi është praktikuar një shkollë e vetme juridike islame, por që ulemaja shqiptare gjithmonë e kanë ditur se ekzistojnë katër shkolla kryesore që kanë thelbin dhe përmbajtjen të njëjtë, por që diversitohen në formë. Këto dallime e diversitete, duke mos qenë për çështje thelbësore, nuk duhet të amplifikohen, e të bëhen objekt grindjeje e përçarjesh.. Islamit në përgjithësi, dhe atij shqiptar në veçanti nuk i mungojnë forcat dialoguese dhe teologë të përgatitur që mund të thonë dhe që e kanë thënë fjalë me kompetencë sa herë që iu është kërkuar.

Le të jetë ky shkrim një moment, ku së paku përpjekjet për promovimin e dialogut, si forcë dhe erë që fryn në favor të ecjes përpara të anijes islame në detin e trazuar të kohës, moment ky ku mund të shpalosen idetë në mënyrë profesionale e pa pasione.