Lapidari i ushtarit të panjohur
E njihni Musab in Umerin, atë djalosh që në shtëpinë e tij kishte pishinë qumështi dhe bukuroshe symëdha, bollëk dhe të mira që nuk ua dinte fundin?! A e dini se ditën kur ai hyri në Islam, hyri me rroba të grisura, ndërsa ditën kur u varros, nuk pati qefin që t'ia mbulojnë trupin?! E varrosën me këmbë të zbuluara. Ishte ky një ushtar i panjohur!
Po a e njihni Omerin, të birin e Hatabit, i cili ditën ishte kalif i besimtarëve, ndërsa natën endej pa u diktuar fare nga askush nëpër shtëpitë e varfanjakëve duke u dërguar ushqim?! A e njihni Omerin, të birin e Hatabit, i cili, ndonëse me garanci për xhenet, kur doli fjala se njëri nga shokët e Profetit e kishte listën e mynafikëve, disa net nuk vuri gjumë në sy, derisa një ditë mori guxim e pyeti se mos ishte edhe ai aty?! A e njihni Omerin, të birin e Hatabit, që derisa mbante hutbe në Medinë e urdhëronte komandantin e ushtrisë disa mijëra kilometra larg Medines që ta ruajë shpinën?! Omerin, që shihte aq larg e që atë ditë kur u çlirua Kudsi, hyni në Jerusalem i veshur thjesht, me tesha të arnuara dhe këmbëzbathur?! Atë Omer që vdiq me shpatulla të mavijosura nga barrët e rënda që i bartte natën për varfanjakët dhe atë Omer që kur ishte para vdekjes, pyeti se mos vrasësi i tij ishte mysliman dhe që u gëzua fort që nuk ishte?! Ishte ai një ushtar i panjohur!
Po Ebu Bekrin a e njihni, të urtin, të butin dhe të sinqertin?! Ebu Bekrin që derisa ishte me Profetin në shpellë, e duroi edhe kafshimin e akrepit vetëm që mos t'i bëhej dëm Profetit. E dini sa i ngrohtë ishte loti i tij në faqen e Muhamedit a.s. ato çaste?! Ishte lot i ushtarit të panjohur të xhenetit.
Po a e njihni Hysejnin r.a., të birin e Aliut, atë që vdiq i etur për një pikë ujë? A e dini se të gjithë deri në vdekjen e tij kishin menduar se ai ishte një dorështrënguar, ngase kurrë nuk e kishte pasur traditë të japë para syve të njerëzve. Edhe ai ishte ai një nga ushtarët e panjohur.
Po a e njihni Ejub el-Ensariun, atë të varfër që e pranoi në shtëpinë e tij në Medinë Muhamedin a.s.?! Ai ndërroi jetë në muret e Kosntantinijes dhe varri i tij kurrë nuk gjet. Mbeti përgjithmonë ushtar i panjohur.
Po a më thoni si quhej ai djaloshi që në luftën e Uhudit u doli para qindra shigjetave që ishin drejtuar drejt trupit të shenjtë të Muhamedit a.s.?! Historia nuk e ka regjistruar emrin e tij, asnjë libër nuk është shkruar për të, ai nuk deshi lavd, nuk deshi merita, thjesht u flijua për të vërtetën. Edhe ai ishte ushtari i panjohur.
Po atë ushtarin që në luftë çdoherë dilte me kokë të mbështjellë dhe askush nuk e dinte se kush ishte ai që aq furishëm ua kallte datën armiqve? Kush ishte ai? Si quhej ai, prej nga vinte ai, ku shkoi ai? Edhe ai ishte ushtari i panjohur.
Po si quhej ai besimtari në oborrin e Faraonit, po kush ishte gruaja besimtare e Faraonit, kush ishte Hidri a.s., kush ishin ata që kaluan pranë nesh kur ne e ndjemë aromën e tyre, por kurrë nuk i njohëm?! Ne dëgjuam shushurimën e hapave të Hasan el-Basrisë, por kurrë nuk e njohëm atë. Ata mbetën përherë anonimë e pa pnjohur.
Ne sigurisht nuk i njohim ata, por Allahu i njeh: janë edhe mijëra e miliona të tjerë që askund nuk janë regjistruar, në asnjë antologji, enciklopedi, leksion e histori, janë ata që ishin tulla të dinit tonë, janë ata që kurrë nuk deshën nam e lavd, janë ata që kurrë nuk kërkuan të dihet se kush ishin, janë ata ushtarët e panjohur, më meritorët për lapidarin hyjnor në xhenet.
Por..., ushtar i panjohur, krah për krah me Omerin, Musabin e ushtarët e tjerë anonimë, mund të jesh edhe ti, o myslimanë i ditëve tona.
Kur ti e fal namazin e natës dhe askush, pra as nëna, gruaja e fëmijët tu, nuk të shohin, ti je njëri nga ata ushtarë.
Kur ti derdh një pikë loti për dashurinë ndaj Zotit tënd dhe askush nuk ta sheh atë lot në sy, ti je ushtar i panjohur që me lotin tënd e fik zjarrin e xhehenemit.
Kur ti pa u hetuar nga askush, ngrihesh dhe larg syve të njerëzve, ia zgjat dorën një nevojtari dhe ia kryen një punë atij, ia lehtëson jetën atij, ndërsa as ai nuk të njeh e nuk të dallon se kush je, kurse nesër në mëngjes kthehesh bashkë me të tjerët pa të hetuar kush se çka ke bërë natën, ti je ushtar i panjohur.
Fëmijët e fqinjit tënd shkojnë në shkollë të zhveshur, të pangrënë dhe pa libra. Ti ngrihesh natën, ia rrah derën pa të hetuar askush, ia lë në derë veshjet për fëmijët e tij, ia lë në derë librat, ia lë një shumë të hollash dhe ikë pa të parë kush; ti je ushtar i panjohur.
Një mik i yti ndërton shtëpi e ti nuk ke mundësi ta ndihmosh fizikisht. Shkon ti dhe ia porosit nja njëzet thasë çimento dhe një kamion rërë dhe ia dërgon me ndonjë qerre, e ai nuk e di se pikërisht miku i tij ia ka bërë atë peshqesh; ti je ai ushtari i panjohur.
Ti e njeh një student që mëson shumë, por që nuk ka mundësi materiale që të shkollohet. Shkon ti në shërbimin e studentëve dhe ia paguan vitin, pa e ditur ai; ti je një ushtar i panjohur.
Një vajzë e re dëshiron ta vazhdojë shkollën, por familja e saj nuk ka mundësi ta ndihmojë. Ti e njeh atë, por rroga jote është aq e vogël, sa mezi të mjafton ty. Por ti ngrihesh, e bën gati një zarf, ia lëshon në derë pa të hetuar fare dhe ia shënon se janë për shkollimin e vajzës së re. Kështu bëhesh ushtar i panjohur.
Një i sëmurë që ti e njeh ka nevojë për ndihëm materiale që të operohet. Por, e ka vështirë, nuk gjendet dot. Ti e ke marrë vesh këtë, mbledh çka mund të mbledhësh, shkon ia paguan spitalin dhe kërkon nga mjekët që ta kërkojnë në spital; ti je një ushtar i panjohur.
Dikujt i ka vdekur nëna, babai, fëmija dhe është shumë i mërzitur. Ti fare nuk i njeh ata njerëz. Por, kalon rrugës, e sheh pikëllimin që e kanë ata njerëz, hy aty dhe i ngushëllon; kështu bëhesh ushtar i panjohur.
Po vjen Bajrami. Një jetim në lagjen tënde luan në rrugë i pashpresë për Bajramin që vjen. E merr ti në makinë dhe e dërgon deri në treg, ia blen teshat më të mira dhe e kthen si pa të keq në shtëpi. Ai nuk të njeh ty, por ty të njeh Allahu, se ti je ushtar i panjohur.
Po cila është kënaqësia më e madhe se të jetosh i panjohur për njerëzit e të jesh i njohur e fatlum në Shikim e Zotit dhe të engjëjve të tij?! Ata që dëshirojnë lapidarë në këtë botë, Zoti ua mundëson, por i privon nga lapidarët e ahiretit. E në ahiret mbase do të jetë një lapidar i cili do të ngrihet edhe për ty, ndërsa në do të shkruhet se i kushtohet ushtarit të panjohur të Zotit. E ti në ato çaste do të kënaqesh pranë shikimit të njohur të Zotit tënd.
Zoti në bëftë prej atyre!
Allahu në Kuranin famëlartë tha: "S'ka dyshim se All-llahu e di fshehtësinë e qiejve e të tokës, All-llahu sheh atë që punoni ju." (49:18)
Më datë 29.03.2008, në ambientet e Grand Hotel Europa, u organizua në qytetin e Shkodrës promovimi i shoqatës më të re kulturoro-edukative, ‘Burimi’.Merrnin pjesë funksionarë të lartë të institucioneve vendore, si prefekti i qarkut Shkodër z. Maxhid Cungu, anëtarë të këshillit bashkiak, myftiu i Shkodrës H. Ndriçim Sulejmani, profesorë dhe intelektualë nga fusha të ndryshme, të ftuar nga Tirana, etj.
Shoqata Kulturore, humanitare "BURIMI", ne vazhden e aktiviteteve te saje bamirese, organizoi takimin me jetimet e rrethit te Shkodres, ne Bar Restorant "Hysa", ne te cilen u bene ndarjet e ndihmave ekonomike dhe dhuratava te ndryshme...
Për realizimin e këtij aktiviteti falenderojme mbeshtetjen qe na ka dhene Myftinia Shkoder dhe konkretisht Myftiu Ndriçim Sulejmani si dhe te gjithe ato individe te cilet kane ofruar ndihmen e tyre per mbarvajtjen e ketij projekti.


